Annalena Baerbock, ish-Ministrja e Jashtme e Gjermanisë dhe një nga figurat më të njohura të Partisë së Gjelbër, ka marrë detyrën e re si Presidente e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Baerbock, e cila deri në muajin maj ishte diplomatia më e lartë e Gjermanisë, u zgjodh më 2 qershor me 167 vota nga 193 shtete anëtare, në një proces të shoqëruar me votim të fshehtë – një praktikë jo e zakonshme për këtë post, e cila u kërkua nga Rusia. Diplomatë perëndimorë e cilësuan këtë si një manovër për t’i bërë presion politik, duke qenë se Baerbock ishte një kritike e fortë e agresionit rus në Ukrainë.
Skepticizëm dhe kritika në Berlin
Në Gjermani, emërimi i saj ka ngjallur reagime të përziera. Kancelari aktual Friedrich Merz (CDU) u shpreh kritik, duke thënë se “diskutimet torturuese të politikës së jashtme të viteve të fundit i përkasin së kaluarës”. Kritikë të tjerë vlerësuan se posti i duhej dhënë diplomates me përvojë Helga Schmid, e cila ishte kandidatura tjetër e fuqishme e Gjermanisë.
Roli i ri në Nju Jork
Mandati i Baerbock do të zgjasë një vit. Në këtë periudhë ajo do të drejtojë punimet e Asamblesë së Përgjithshme, do të përgatisë rendin e ditës dhe do të bashkëpunojë me ambasadorët e 193 shteteve anëtare. Ndër prioritetet e saj është edhe procesi i zgjedhjes së Sekretarit të ri të Përgjithshëm të OKB-së, që do të mbahet vitin e ardhshëm.
Baerbock ka dhënë dorëheqjen nga mandati i saj në Bundestag, duke theksuar se synon të jetë një “forcë bashkuese” dhe “ndërmjetëse e ndershme” në drejtimin e Asamblesë së OKB-së.
Dyshja e të Gjelbërve jashtë politikës gjermane
Emërimi i saj vjen në një kohë kur edhe ish-zëvendëskancelari Robert Habeck, gjithashtu nga të Gjelbrit, është larguar nga politika aktive për t’iu përkushtuar fushës akademike në Danimarkë.
Baerbock, e cila shpesh ka qenë figurë polarizuese në politikën gjermane për qëndrimet e saj të ashpra ndaj Rusisë dhe Kinës, tani përballet me një sfidë të re në skenën ndërkombëtare: ta pozicionojë veten si ndërmjetëse globale në një periudhë krize për rendin ndërkombëtar.