Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila refuzoi kërkesën e Komunës së Prishtinës për suspendimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, duke lënë në fuqi ndalimin e punimeve në Sheshin “Xhorxh Bush”.
Në një postim në Facebook, Çeku ka theksuar se edhe Apeli, sikurse më herët Gjykata Themelore, e ka konfirmuar se mbrojtja e trashëgimisë kulturore është interes publik dhe se të gjitha institucionet shtetërore duhet të respektojnë ligjin dhe të sigurojnë pëlqimet përkatëse nga autoritetet kompetente.
“Që nga fillimi, Ministria e Kulturës ka ftuar Komunën që të veprojë në përputhje me ligjin, ka udhëzuar për procedurat që duhet të ndiqen dhe ka dhënë rekomandimet profesionale për t’u përfshirë në projektin e sheshit. Përkundër kësaj, Komuna ka zgjedhur një qasje arrogante dhe shpërfillëse ndaj ligjit dhe interesit publik,” ka shkruar Çeku.
Ai i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që t’i kthehet ligjshmërisë, transparencës dhe interesit publik, duke trajtuar trashëgiminë kulturore me kujdesin që meriton.