Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Llapashticë të Podujevës, ku një person është vrarë me armë zjarri.
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se i dyshuari, Arbër Havolli, rreth 32 vjeç, dyshohet se ka qëlluar për vdekje Bashkim Spahiun nga fshati Gllamnik, duke shkrehur mbi të rreth 11 plumba.
Rasti është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 19:30 kemi marrë informatën për të shtëna me armë në fshatin Llapashticë të Podujevës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore, ku kanë hasur në një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje,” deklaroi Ahmeti.
Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur brenda një veture pas një bisede mes të dyshuarit dhe viktimës, e cila përfundoi në konflikt fatal. Ende nuk dihen motivet e sakta që çuan në këtë krim të rëndë.
Policia ka nisur hetimet dhe është duke punuar për zbardhjen e plotë të rastit.