Në orët e para të mëngjesit të sotëm, u finalizua ekstradimi i shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., 41 vjeç, nga Punta Cana, Republika Domenikane, drejt Shqipërisë. Ekstradimi u realizua pas një bashkëpunimi intensiv ndërkombëtar midis Interpol Tiranës dhe Interpol Santo Domingo, si pjesë e operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
S. P., i lindur në Lushnjë, ishte i shpallur në kërkim nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila kishte caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale:
-
Trafikim i narkotikëve,
-
Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal,
-
Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Arrestimi i shtetasit u bë i mundur falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe shkëmbimit të tij me Interpol Santo Domingo. Pas përfundimit të procedurave ligjore, S. P. iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në Shqipëri.
Policia e Shtetit falënderon autoritetet e Republikës Domenikane dhe autoritetet gjermane për bashkëpunimin në realizimin e ekstradimit.