Njësitë e Doganës së Kosovës kanë sekuestruar 431 adapterë të markave të ndryshme, gjatë një kontrolli rutinor në pikën kufitare të Hanit të Elezit.
Rasti ndodhi më 5 shtator, rreth orës 22:00, kur zyrtarët doganorë ndaluan një automjet që vinte nga Maqedonia e Veriut. Fillimisht, drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk mbante mall për t’u deklaruar, por pas një kontrolli të detajuar u zbuluan mallra të padeklaruara, kryesisht adapterë me origjinë nga Kina.
Sipas Doganës, ndër mallrat e sekuestruara janë përfshirë 431 copë adapterë me marka të mbrojtura si Samsung dhe Apple, të cilat tashmë janë dërguar për verifikim pranë Sektorit për Pronësi Industriale (DPI).
Autoritetet theksuan se mallrat u ndaluan përkohësisht për shkak se nuk ishin deklaruar në doganë.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e tregtisë së mallrave të padeklaruara dhe në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale,” thuhet në komunikatën zyrtare.