Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar të dielën se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron, pas sulmit ajror më të madh që Rusia ka kryer ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkurt 2022.
“Po koordinojmë përpjekjet tona diplomatike, hapat e ardhshëm dhe kontaktet me partnerët tanë, për të siguruar një reagim të duhur”, shkroi Zelensky në platformën Telegram.
Goditja mbi Kievin
Gjatë valës së bombardimeve ruse gjatë natës, një zjarr i madh shpërtheu në godinën që shërben si seli e qeverisë në Kiev, duke lënë të paktën pesë viktima, prej tyre tre në kryeqytet.
“Për herë të parë që nga shpërthimi i luftës, çatia dhe katet e sipërme të ndërtesës së qeverisë u dëmtuan nga një sulm armik”, tha zëvendëskryeministrja Yulia Svyrydenko, duke shpërndarë fotografi ku shihen dëmet, flakët nga dritaret dhe një helikopter që kryen hedhje uji.
Alarm në gjithë vendin
Pothuajse e gjithë Ukraina u vendos nën alarm ajror që prej natës së kaluar. Kryeqyteti u bë objektiv i një sulmi masiv me dronë, i cili shkaktoi tre viktima të tjera – një grua e moshuar, një e re dhe një vajzë e vogël – si dhe 18 të plagosur, sipas shërbimeve të emergjencës.
Ndërtesa të shumta në Kiev dhe qytete të tjera u dëmtuan rëndë nga bombardimet.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike të presidentit amerikan Donald Trump për të ndërmjetësuar një armëpushim duket se kanë ngecur, ndërsa lufta po hyn në një fazë edhe më të ashpër.