Prodhuesit evropianë të çelikut po i kërkojnë Komisionit Evropian të vendosë tarifa të larta ndaj importeve të metalit, duke paralajmëruar se sektori rrezikon të shembet nën presionin e produkteve të lira kineze dhe tarifave ndëshkuese të presidentit amerikan Donald Trump.
“Ne kemi nevojë për mbrojtje, përndryshe industria e çelikut nuk do të mbijetojë”, deklaroi Ilse Henne, drejtuese e lartë në Thyssenkrupp të Gjermanisë, për Financial Times.
Presioni nga Kina dhe tarifat e Trump
Industria e çelikut në BE është përballur prej kohësh me konkurrencën e importit të lirë nga Kina dhe me çmimet e larta të energjisë. Situata u rëndua këtë vit, kur Trump vendosi tarifa 50% për eksportet evropiane drejt SHBA-së, duke rrezikuar humbjen e pjesës më të madhe të 3.8 milionë tonëve që BE-ja eksporton çdo vit në tregun amerikan.
Franca dhe 10 shtete të tjera anëtare të BE-së, përfshirë Italinë e Spanjën, propozojnë që një taksë 50% të zbatohet mbi një kuotë të caktuar, me qëllim që të frenohen importet e tepërta.
Humbje masive të vendeve të punës
Sipas të dhënave të Eurofer, vetëm në vitin 2024 industria e çelikut në Evropë ka humbur 18,000 vende pune, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të pushuarve nga viti 2008 në mbi 90,000.
Në vitin 2024, BE-ja importoi 28 milionë ton çelik – dyfishin e sasisë së vitit 2012/13 – me Kinën si furnizuesin kryesor.
Reagimi i Brukselit
Komisioni Evropian ka paralajmëruar një masë të re mbrojtëse për industrinë deri në fund të këtij tremujori, por ende pa dhënë detaje. Zëvendëszëdhënësi kryesor i KE-së, Olof Gill, tha se rregullorja e re do të kufizojë sasinë e çelikut që mund të hyjë në tregun e BE-së.
Ndërkohë, negociatat me Uashingtonin për të ulur tarifat ndaj çelikut dhe aluminit vazhdojnë, por sipas Eurofer “është shumë e dyshimtë që SHBA-të do të japin ndonjë përjashtim të rëndësishëm në të ardhmen e afërt”.
Thyssenkrupp drejt ristrukturimit
Kompania gjermane Thyssenkrupp, një prej gjigantëve të çelikut në Evropë, ndodhet në një proces të dhimbshëm ristrukturimi. Ajo ka paralajmëruar ulje kapacitetesh në fabrikat e saj dhe shkurtim të rreth 11,000 vendeve të punës.