Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi sot që ish-presidenti Ilir Meta të mbetet pas hekurave, duke rrëzuar kërkesën e tij për lirim nga burgu, ku ndodhet prej datës 21 tetor 2024.
Seanca u zhvillua paraditen e së hënës dhe pas shqyrtimit, trupa gjykuese u tërhoq në Dhomën e Këshillimit, ku vendosi të mos pranojë kërkesën e Metës.
Meta përballet me një sërë akuzash të rënda, përfshirë:
-
“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,
-
“Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”,
-
“Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
SPAK përfundoi hetimet në gusht
Më 29 gusht 2025, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve ndaj Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, duke i çuar dosjet në gjykatë për seancë paraprake. Në listën e të pandehurve përfshihen gjithashtu:
-
Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit,
-
Pirro Xhixho, ish-kreu i AKEP,
-
Ema Çoku, financuese e LSI-së.
Sipas SPAK, hetimet zbuluan skema korruptive, përdorim të ndikimit politik për favorizim biznesesh, pastrim parash dhe fshehje pasurish. Ndaj Metës rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv në tre raste, ndërsa Kryemadhi akuzohet për korrupsion në dy raste, si dhe për fshehje pasurie.
Çështja CEZ-DIA dhe dyshimet për lidhje me biznesmenë
SPAK pretendon se Meta ka përfituar përmes ndikimeve korruptive në çështjen CEZ-DIA, në marrëveshje interkoneksioni, por edhe në një proces ligjor ku dyshohet për favore ndaj biznesmenit Samir Mane.
Prej tetorit të vitit të kaluar, Meta – aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë – qëndron në burg pas vendimit të GJKKO-së për masën e sigurisë “arrest në burg”.
Meta dhe të pandehurit e tjerë i kanë kundërshtuar akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht.