Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka pranuar zyrtarisht sistemin e fluturakeve pa pilot AeroVironment RQ-20 Puma, të siguruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes programit Foreign Military Sales (FMS).
Këto mjete moderne do të forcojnë ndjeshëm aftësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në fushën e vëzhgimit dhe operacioneve ajrore pa pilot, duke rritur kapacitetet e saj për inteligjencë dhe zbulim.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e cilësoi këtë zhvillim si një hap të madh përpara në modernizimin e ushtrisë:
“Pranimi i dronëve RQ-20 Puma është dëshmi e bashkëpunimit të shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara, partnerin tonë strategjik dhe të pazëvendësueshëm,” tha ai.
Ai shtoi se ky bashkëpunim tregon vazhdimësinë e angazhimit të përbashkët për ngritjen e FSK-së sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare.