Policia e Kosovës ka arrestuar një person në komunën e Mitrovicës së Jugut, nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Sipas njoftimit të Policisë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka ndërmarrë veprime hetimore pas pranimit të një informate për dyshime mbi manipulime në një kontratë subvencionimi. Hetimet kanë zbuluar se në dokument është ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në vlerën e kontratës, duke i shkaktuar dëm buxhetit publik.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të prokurorit kompetent i është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Policia e Kosovës ka theksuar se, në bashkëpunim me institucionet relevante, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave që dëmtojnë interesin publik dhe financat e shtetit.