Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se e drejta e vetos e një partie politike mbi funksionalizimin e institucioneve cenon vetë ekzistencën e Republikës.
Në një konferencë për media, Osmani tha se vetoja nuk ka qenë asnjëherë qëllim i themeluesve të shtetit apo i hartuesve të Kushtetutës.
“Duke ia dhënë një partie politike që përfaqëson një komunitet të drejtën e vetos mbi funksionalizimin e Kuvendit, e rrjedhimisht të çdo institucioni tjetër shtetëror që zgjedhet në Kuvend, Republika do të zhvleftësohej, duke u shndërruar në një parim në letër në vend se të mbetet veprim i përditshëm në mbrojtje të sovranitetit dhe interesave të të gjithë qytetarëve, pa dallim,” u shpreh Osmani.
Ajo theksoi se tani është në dorën e Gjykatës Kushtetuese që ta mbrojë shtetin nga ky rrezik, duke theksuar se vendimi nuk lidhet vetëm me pozitën e një nënkryetari nga komuniteti serb, por me funksionalitetin e shtetit në tërësi.
“Shpresoj se gjyqtarët do të udhëhiqen nga betimi që kanë dhënë ndaj Republikës së Kosovës,” përfundoi Osmani.