Gjatë muajit gusht, Dogana e Kosovës – Zyra Doganore në Prishtinë ka realizuar një sërë aksionesh të suksesshme kundër tregtisë me mallra të falsifikuara, duke parandaluar futjen në treg të produkteve pirate që dëmtojnë konsumatorin dhe ekonominë vendore.
Mallrat e ndaluara pas verifikimit do t’i nënshtrohen asgjësimit, ndërsa ndaj subjekteve importuese janë nisur procedurat ndëshkimore kundërvajtëse.
Rastet kryesore të ndalimit:
-
TAFT – Një ngarkesë me 3,000 preparate për flokë të markës TAFT, të importuara nga Kina, u ndalua pasi dyshohej se ishin falsifikate. Produktet ishin të destinuara për tregun vendas dhe rrezikonin shëndetin e konsumatorëve.
-
BMW, AUDI, MERCEDES – Dogana ndaloi 7,200 aksesorë të ndryshëm të markave të njohura automobilistike, të cilët u konstatuan si të falsifikuar.
-
AREON – Një ngarkesë me 9,000 aromë për vetura të markës Areon, të importuara nga Kina, u ndalua si kopje joautentike.
-
Louis Vuitton, Gucci, Chanel – Dogana zbuloi 944 copë bizhuteri të markave të luksit të falsifikuara dhe të paautorizuara për treg.
-
COS – Në dy raste të ndara u ndaluan 623 copë farmerka të markës COS nga Turqia, të dyshuara si mallra pirate.
-
REEBOK – Një ngarkesë me 3,700 veshje tekstili të markës Reebok, të importuara nga Kina, u ndalua gjithashtu si e falsifikuar.
Dogana e Kosovës rithekson përkushtimin dhe vigjilencën e saj në parandalimin e qarkullimit të mallrave të falsifikuara, duke mbrojtur konsumatorët, bizneset e ndershme dhe shoqërinë nga efektet negative të tregtisë ilegale.




