Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe njësitet e tjera relevante, ka realizuar ekstradimin e dy shtetasve kosovarë nga Shqipëria.
Të dy të dyshuarit ishin arrestuar nga autoritetet shqiptare pasi kërkoheshin me urdhër arrest ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprat penale “Grabitje” dhe “Vjedhje grabitqare”. Ekstradimi u krye përmes pikës kufitare të Vërmicës, falë bashkëpunimit ndërinstitucional midis Kosovës dhe Shqipërisë.
Pas mbërritjes në Kosovë, të dyshuarit janë dërguar në njësitet përkatëse të policisë për vijimin e procedurave ligjore.
Policia e Kosovës rikujton se do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit me institucionet vendore, shtetet fqinje dhe organizatat ndërkombëtare për të parandaluar, hetuar dhe zbuluar aktivitetet kriminale, si dhe për gjurmimin dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale brenda dhe jashtë vendit.