Strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në mërgatë, aktivistë dhe qytetarë nga diaspora e nga Kosova do të organizojnë të dielën, më 14 shtator, një protestë në Hagë për të kërkuar drejtësi.
Kjo iniciativë ka për qëllim të ngrisë zërin për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për çlirimtarët që po gjykohen, sipas organizatorëve, në mënyrë të padrejtë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se protesta është një thirrje për të vërtetën dhe drejtësinë që u takon atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës. “Procesit në Hagë po i afrohet fundi, dhe populli i Kosovës pret me besim lirimin e shpejtë të heronjve të saj”, shtoi ai.
Krasniqi theksoi se UÇK-ja mbetet themeli i lirisë së vendit dhe se sot, më shumë se kurrë, është detyrë e qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar për të mbrojtur nderin e saj dhe për të kërkuar drejtësi të barabartë për të gjithë.
Organizatorët i bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen në këtë protestë për drejtësi.