Njësitet për Anti-Kontrabandë të Doganës së Kosovës kanë ndaluar një automjet në territorin e Prishtinës, pas informacioneve të siguruara paraprakisht dhe në bazë të autorizimeve ligjore të parashikuara në Kodin Doganor dhe të Akcizave.
Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët doganorë kanë zbuluar sasi të konsiderueshme produktesh të padoganuara të llojit “botox” dhe “fillerë”, të cilat përdoren për qëllime estetike.
Pas veprimeve të mëtejshme operative dhe në koordinim me prokurorin kompetent, është kryer një kontroll shtesë në një lokacion tjetër në Prishtinë, ku është gjetur edhe një sasi tjetër e këtyre produkteve.
Sipas Doganës, vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara llogaritet rreth 5,000 euro. Autoritetet theksojnë se këto produkte, për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë me trupin e njeriut dhe mungesës së kontrollit adekuat, paraqesin rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve.
Rasti është duke u trajtuar si kundërvajtje doganore, ndërsa Dogana e Kosovës konfirmon se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, duke mbrojtur njëkohësisht tregun vendor dhe sigurinë e popullatës.

