Manjati rus Roman Abramovich pësoi një humbje të rëndësishme ligjore të mërkurën, pasi Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian hodhi poshtë sfidën e tij ndaj sanksioneve të vendosura nga BE.
Sanksionet kundër ish-pronarit të Chelsea FC u vendosën në vitin 2022, pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës, me pretendimin se lidhjet e tij të ngushta me Presidentin Vladimir Putin e ndihmuan të ndërtonte pasurinë e madhe.
Abramovich kishte kërkuar heqjen e kufizimeve, përfshirë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit në Evropë, duke argumentuar se masat ishin të padrejta dhe se BE kishte gabuar kur e konsideroi atë të lidhur me Kremlinin. Ai kërkoi gjithashtu kompensim për dëmtimin e reputacionit të tij.
Megjithatë, gjykata e BE-së e cilësoi sfidën e Abramovich si të pabazuar dhe theksoi se sanksionet janë “të nevojshme dhe të përshtatshme”, duke vënë në dukje edhe rolin e tij si aksionar në grupin minierash dhe çeliku Evraz, i cili siguron të ardhura të konsiderueshme për qeverinë ruse.
Abramovich ka ndërmarrë padi ligjore në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar për të pastruar emrin e tij, por me rezultate të pakta. Pas pushtimit rus, ai shiti Chelsea FC për një çmim rekord, ndërkohë që qeveria britanike synon të sekuestrojë 2.5 miliardë paund nga kjo shitje për t’i ndihmuar Ukrainës.
Në të njëjtën ditë, ish-Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, humbi gjithashtu një betejë dhjetëvjeçare ligjore për të hequr sanksionet e vendosura ndaj tij nga BE.

