Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj H.S., i cili akuzohet për veprën penale “Spiunazh”.
Sipas aktakuzës, H.S. dyshohet se nga nëntori i vitit 2009 deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025, ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
Hetimet tregojnë se më 22 nëntor 2015, i pandehuri kishte udhëtuar në Siri dhe i ishte bashkuar organizatës terroriste “ISIS”. Ai dyshohet se ka dërguar informacione tek zyrtarët e BIA-së lidhur me numrin e pjesëtarëve shqiptarë në “ISIS”, strukturën e organizimit të tyre dhe zonat ku ata operonin në Siri.
Pas kthimit në Kosovë dhe vuajtjes së një dënimi për pjesëmarrje në organizata terroriste, H.S. dyshohet se ka vazhduar takimet me zyrtarët e BIA-së në Serbi, përfshirë edhe drejtorin për Luftimin e Terrorizmit, I.B., duke u ofruar informacione të tjera të ndjeshme.
Sipas aktakuzës, për këto shërbime ai paguhej deri në 700 euro në muaj nga BIA.
Prokuroria Speciale ka propozuar vazhdimin e masës së paraburgimit dhe kërkon nga gjykata që pas shqyrtimit gjyqësor, H.S. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.