Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë mekanizëm si një nga format më të rëndësishme të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në një deklaratë publike, Presidentja theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-ve janë të pathyeshme, jo vetëm në aspektin diplomatik, por si pjesë ekzistenciale e identitetit shtetëror dhe kombëtar të Kosovës. Ajo rikujtoi se mbështetja amerikane ishte vendimtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke e quajtur aleancën me SHBA-të një “çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve”.
Presidentja Osmani theksoi se Dialogu Strategjik ishte një iniciativë e saj e nisur në vitin 2021, e cila u përforcua me nota verbale dhe takime të nivelit të lartë, për t’u finalizuar në janar 2025 gjatë takimit me Departamentin e Shtetit Amerikan.
“Përmes këtij procesi, u ndërtua një mekanizëm tejet i çmuar i bashkëpunimit. Për këtë arsye, pezullimi i tij sjell keqardhje dhe shqetësim të thellë”, tha Osmani, duke shtuar se Presidenca do të angazhohet maksimalisht që ky dialog të rifillojë sa më shpejt.
Ajo siguroi qytetarët se do të vazhdojë të punojë ngushtë me SHBA-të në fushat kyçe të interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e vendit, ndërtimin e së ardhmes euroatlantike dhe mbrojtjen e sovranitetit e rendit kushtetues të Kosovës.
“Siguria e Republikës së Kosovës është fuqishëm e lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, ruajtja e kësaj aleance të shenjtë është përgjegjësi e secilit”, theksoi Presidentja Osmani.