Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka shpallur sot nisjen e fushatës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Në një komunikatë drejtuar qytetarëve të Kosovës, Krasniqi kujtoi se katër vite më parë qytetarët besuan PDK-në për udhëheqjen e shumicës së komunave, rezultatet e së cilës sipas tij janë projekte dhe punë që flasin vetë.
“Këtë herë, zgjedhja është e qartë: për qeverisje të përgjegjshme, projekte konkrete dhe një komunë që ecën vetëm përpara,” theksoi ai.
Krasniqi ftoi qytetarët që më 12 tetor të votojnë për PDK-në dhe listën e saj me numrin 191, duke e prezantuar si mundësinë për të bërë “ma mirë komunën tuaj”.