Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, kritikoi të dielën “përshkallëzimin e pamatur” të Moskës, pas incidentit ku një dron rus shkelë hapësirën ajrore të Rumanisë gjatë një sulmi në Ukrainën jugore.
“Shkelja e hapësirës ajrore rumune nga dronët rusë është një tjetër shkelje e papranueshme e sovranitetit të një shteti anëtar të BE-së. Ky përshkallëzim i vazhdueshëm i pamatur kërcënon sigurinë rajonale,” deklaroi Kallas përmes platformës sociale X.
Kufijtë lindorë të Evropës janë tashmë në gatishmëri të lartë, pas një incidenti të mëparshëm kur forcat e NATO-s rrëzuan 19 dronë rusë që kishin hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë të mërkurën e kaluar. Të shtunën, dy avionë luftarakë rumunë F-16 interceptuan një dron rus mbi territorin e Rumanisë gjatë një stërvitjeje zbulimi për të monitoruar sulmet ajrore ruse në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm i Rumanisë e cilësoi ndërhyrjen si “të papranueshme dhe të pamatur”, ndërsa ministria e mbrojtjes raportoi se nuk pati dëme materiale apo lëndime.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me Rumaninë,” tha Kallas, duke theksuar se qëndron në kontakt të ngushtë me qeverinë rumune.
Incidenti në Poloni dhe ai i fundit në Rumani nxjerrin në pah sfidat e NATO-s për trajtimin e dronëve, të cilët janë bërë një element qendror në luftën moderne në Ukrainë. Forcat e aleancës përdorën pajisje miliarda dollarëshe për të neutralizuar dronët rusë, të cilët në disa raste ishin ndërtuar nga materiale të thjeshta si druri dhe shkuma.