Aplikacioni TikTok ka shpëtuar nga ndalimi në Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti Donald Trump njoftoi se është arritur një marrëveshje me Kinën për vazhdimin e funksionimit të tij.
Për muaj të tërë kishte pasur pasiguri mbi të ardhmen e platformës pas ligjit të vitit 2024, i cili parashikonte ndalimin e saj më 19 janar nëse kompania nuk do të shitej tek një blerës perëndimor. Në minutat e fundit, një zgjidhje u arrit përmes urdhrave ekzekutivë dhe negociatave intensive.
“Kemi arritur një marrëveshje me një kompani të caktuar që të rinjtë tanë donin me çdo kusht ta shpëtonin. Do të jenë shumë të lumtur”, deklaroi Trump, duke folur gjithashtu për takimet me autoritetet europiane lidhur me tarifat doganore. Presidenti amerikan njoftoi se do të zhvillojë një bisedë të re me presidentin kinez Xi Jinping të premten, duke theksuar se “marrëdhënia mbetet shumë e fortë”.
Sekretari i Tregtisë, Jamieson Greer, konfirmoi njoftimin e shpërndarë nga Trump në rrjetin social Truth: “Kemi arritur një marrëveshje për çështjen komplekse dhe të ndjeshme të TikTok”. Në të njëjtën linjë, edhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se është vendosur “një kornizë me Kinën për TikTok”, duke shtuar se termat tregtarë të marrëveshjes nuk do të bëhen publikë.