Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë parandaluar hyrjen në vend të një sasie të konsiderueshme mallrash të dyshuara si të falsifikuara.
Gjatë një kontrolli të detajuar të një ngarkese komerciale, oficerët doganorë zbuluan dhe ndaluan 720 palë patika/mbathje sportive, të cilat dyshohet se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale.
Pas verifikimit, është konstatuar se produktet e konfiskuara përfaqësonin imitime të markave ndërkombëtare të mbrojtura. Dogana theksoi se ky veprim është pjesë e angazhimeve të saj për të luftuar tregtinë e paligjshme dhe për të mbrojtur konsumatorët nga produktet që cenojnë cilësinë dhe sigurinë.
Institucioni u bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të shmangin tregtimin apo blerjen e produkteve të falsifikuara, duke theksuar se shkelja e të drejtave të pronësisë intelektuale përbën vepër të ndëshkueshme.