Policia e Kosovës, përmes Sektorit për Hetime Financiare dhe nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prizren, ka zhvilluar hetime për dyshime mbi veprime të kundërligjshme në procedurat e prokurimit publik.
Si rezultat i hetimeve, më 15 shtator 2025, u realizua një kontroll në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren, në disa lokacione të lidhura me rastin. Gjatë operacionit, u sekuestruan pajisje të ndryshme elektronike dhe dëshmi materiale që mund të shërbejnë në procedurën hetimore.
Policia njoftoi gjithashtu se në njërin nga lokacionet është gjetur edhe një armë zjarri me municion, për të cilën është iniciuar rast i veçantë në njësinë policore përkatëse.
I dyshuari u intervistua në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit kompetent, u ndalua për 48 orë.
Policia e Kosovës bëri të ditur se, në koordinim me organet e drejtësisë, do të vazhdojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore deri në sqarimin e plotë të rastit.