Udhëheqësit arabë dhe islamikë, të mbledhur në një samit emergjent në kryeqytetin e Katarit, dënuan fuqishëm sulmin izraelit ndaj një rezidence ku po qëndronin udhëheqësit e Hamasit, duke e cilësuar atë si “frikacak dhe të pabesë”.
Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) njoftoi se do të aktivizojë paktin e përbashkët të mbrojtjes, duke e konsideruar çdo sulm ndaj një shteti anëtar si sulm ndaj të gjithëve. Emir i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, e quajti bombardimin izraelit “një akt që synon pengimin e negociatave për armëpushim në Gaza” dhe paralajmëroi për “vizionin ekspansionist” të Izraelit në rajon.
Sipas GCC-së, tashmë janë duke u zhvilluar konsultime mes strukturave ushtarake të bllokut dhe pritet një takim i Komandës së Bashkuar Ushtarake në Doha.
Reagimet e ashpra
-
Emiri i Katarit: “Sulmi dëshmon se Izraeli nuk ka interes të sinqertë për paqe.”
-
Presidenti turk Erdogan: bëri thirrje për presion ekonomik dhe gjykim ndërkombëtar të zyrtarëve izraelitë.
-
Presidenti egjiptian el-Sisi: e cilësoi sulmin si “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare” dhe paralajmëroi pasoja të rënda.
-
Pakistani dhe Irani: kërkuan ndërprerjen e marrëdhënieve me Izraelin dhe formimin e një grupi pune arabo-islamik.
-
Malajzia: kërkoi sanksione të plota dhe pezullim të marrëdhënieve tregtare me Izraelin.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i GCC-së, Jasem Mohamed Albudaiwi, i bëri thirrje SHBA-së që të përdorë ndikimin e saj për të frenuar Izraelin.
Solidaritet, por jo masa konkrete
Samiti përfundoi me një komunikatë të përbashkët që dënonte agresionin izraelit dhe shprehte solidaritet të plotë me Katarin, por pa shpallur masa të menjëhershme politike ose ekonomike. Analistët thonë se takimi shënoi një ndryshim toni dhe uniteti mes vendeve arabe dhe islamike, por veprimet konkrete ende mbeten të paqarta.