Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Balaj të Ferizajt, ku një person ka humbur jetën si pasojë e një vrasjeje. Policia Rajonale e Ferizajt njofton se rreth orës 19:42 ka pranuar informata për rastin dhe menjëherë ka dërguar njësitet e saj në vendngjarje.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësiti i Reagimit të Shpejtë, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, krimteknikët, si dhe Prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar nisjen e hetimeve. Ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe i trupit të viktimës, si dhe intervistat me dëshmitarët kanë zbuluar katër gëzhoja, ndërsa arma e dyshuar për kryerjen e vrasjes, një pistoletë, është gjetur në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit.
Gjatë bastisjes së shtëpisë janë konfiskuar edhe:
-
Një pushkë gjahu me 72 fishekë;
-
Një pushkë ajrore.
Sipas hetimeve fillestare, konflikti ka lindur nga mosmarrëveshje të vazhdueshme mes viktimës dhe të dyshuarit, të cilët ishin kushërinj. Në ditën e ngjarjes, pas një fjalosjeje, i dyshuari B.R. (M/K), lindur në vitin 1974, ka shtënë katër herë mbi viktimën I.R. (M/K), lindur në vitin 1987.
Pas kryerjes së veprës penale, i dyshuari ka kontaktuar vetë policinë dhe është arrestuar. Ai ndodhet në mbajtje për 48 orë, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Policia po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për procedura të mëtejshme ligjore.