Presidenti rus Vladimir Putin doli i veshur me uniformë ushtarake në ditën e fundit të stërvitjeve të përbashkëta ruso-bjelloruse “Zapad 2025”, të cilat këtë vit u zhvilluan nën organizimin e Minsk-ut, edhe më afër kufijve të NATO-s. Në manovrat masive morën pjesë rreth 100 mijë ushtarë nga Rusia, Bjellorusia dhe rreth 50 vende të tjera, përfshirë Indinë e Iranin, duke ngritur alarm në kryeqytetet perëndimore.
Putin deklaroi se ushtrimet përfshinë përdorimin e mbi 10 mijë sistemeve të armatimit, përfshirë dronë, sisteme robotike, armë kundërajrore, mjete të blinduara dhe raketa me precizion të lartë. Sipas tij, synimi ishte “mbrojtës”, për të testuar gatishmërinë e unionit ruso-bjellorus ndaj çdo agresioni, duke u bazuar në “përvojën e operacionit special në Ukrainë”.
Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko shtoi se gjatë stërvitjeve u testuan edhe armë bërthamore taktike, duke paralajmëruar se ato do të përdoren vetëm në rast sulmi. Ai konfirmoi gjithashtu testimin e raketës hipersonike Zirkon nga një fregatë në Detin e Barencit, ndërsa Moska prezantoi raketat e reja hipersonike Oreshnik.
Analistët perëndimorë shohin te “Zapad 2025” një sinjal të qartë kërcënues për NATO-n. Kryeministri polak Donald Tusk paralajmëroi se skenari kryesor i manovrave ishte simulimi i pushtimit të korridorit të Suwalkit, një zonë strategjike mes Polonisë dhe Lituanisë, që në rast pushtimi do të izolonte shtetet baltike nga pjesa tjetër e NATO-s.
Në anën tjetër të Atlantikut, Presidenti amerikan Donald Trump mbërriti në Londër për një vizitë shtetërore dyditore, ku do të qëndrojë në kështjellën e Windsor-it si mysafir i Mbretit Charles. Edhe pse vizita u shoqërua me nderime mbretërore, Trump përsëriti qëndrimet e tij të forta ndaj luftës në Ukrainë:
“Për ta përfunduar këtë luftë, Ukraina duhet të bëjë lëshime. Evropa duhet të ndalojë menjëherë së bleri naftë nga Rusia,” deklaroi ai.
Këtyre komenteve iu përgjigj presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila theksoi se BE po punon për paketën e 19-të të sanksioneve kundër Moskës dhe përshpejtimin e eliminimit gradual të importeve të karburanteve fosile ruse.
Mesazhi është i qartë: ndërsa Putin shfaq fuqinë ushtarake në kufijtë e NATO-s, Perëndimi përpiqet të forcojë unitetin ekonomik dhe diplomatik kundër Rusisë. La Republic.