Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas përfundimit të hetimeve ka ngritur aktakuzë kundër katër personave të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas nenit 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 26 mars 2024, rreth orës 21:10, në rrugën “Butrinti” në Prishtinë, ku në bashkëkryerje të pandehurit privuan nga jeta E.G. dhe Z.G., duke rrezikuar me dashje edhe jetën e personave të tjerë të pranishëm.
-
I pandehuri L.H. ndodhet aktualisht në masë paraburgimi.
-
Ndërsa tre të pandehurit tjerë, N.B., A.B. dhe K.G., ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë në mungesë, vazhdojnë të jenë në arrati, duke iu shmangur organeve të drejtësisë.
Prokuroria bën të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre, por të pandehurit ende nuk janë vënë para drejtësisë.
Ky zhvillim rëndon edhe më tej dosjen e krimeve të rënda në kryeqytet, ndërsa pritet që gjykata të caktojë seancën e parë kundër të akuzuarve.