Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për disa raste vjedhjesh, si dhe për urdhër arrest aktiv nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Ngjarja ndodhi më 18 shtator 2025, rreth orës 01:00, në rrugën “Tahir Sinani” në Prizren, pranë një marketi, ku i dyshuari kishte tentuar të kryente veprën penale “vjedhje e rëndë”. Në vendngjarje, Policia siguroi prova që e lidhin të njëjtin person edhe me një vjedhje të mëparshme në të njëjtin market.
Hetimet kanë zbuluar se i dyshuari dyshohet edhe për dy raste të tjera vjedhjesh në një dyqan tjetër tregtar në qytet.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, E. P. (mashkull) pranoi përfshirjen në rastet e mëposhtme:
-
Vjedhje më 11 shtator 2025, rruga “Ekrem Rexha”, Prizren;
-
Vjedhje më 16 shtator 2025, rruga “Ekrem Rexha”, Prizren;
-
Vjedhje e rëndë në tentativë më 18 shtator 2025;
-
Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.
Policia ka njoftuar Stacionin Policor në Ferizaj për veprimet e mëtejshme ligjore lidhur me urdhrin aktiv të arrestit.