Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka autorizuar ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, që të mbledhë palët rajonale dhe ndërkombëtare për të diskutuar propozimin e tij për krijimin e një organi kalimtar pas luftës në Rripin e Gazës, deri në dorëzimin e administrimit te Autoriteti Palestinez. Lajmin e bëri të ditur gazeta Times of Israel, duke cituar katër burime të njohura me këtë çështje.
Blair ka punuar mbi këtë propozim që në muajt e parë të luftës midis Izraelit dhe Hamasit, duke e konceptuar si një plan për “ditën pas” konfliktit. Megjithatë, detajet e planit nuk janë bërë ende publike, edhe pse ish-kryeministri britanik ka marrë pjesë më 27 gusht në një sesion politik të Shtëpisë së Bardhë mbi këtë çështje.
Sipas raportit të Times of Israel, propozimi i Blair parashikon krijimin e Autoritetit Ndërkombëtar Kalimtar për Gazën, i shoqëruar me disa organe vartëse që do të menaxhojnë administrimin e enklavës.
Raportet e mëparshme e lidhnin Blair-in me ide të diskutueshme si zhvendosja e palestinezëve ose ndërtimi i një “Riviera Trump” në Rripin e Gazës. Por propozimi aktual nuk përfshin këto ide. Ai përfshin një masë të quajtur “Njësia për Ruajtjen e të Drejtave të Pronës”, e cila synon të sigurojë që çdo largim vullnetar i banorëve të Gazës të mos komprometojë të drejtën e tyre për t’u kthyer ose për të ruajtur pronësinë e pasurive.