Tre avionë luftarakë rusë MiG-31 kanë shkelur hapësirën ajrore të Estonisë të premten, duke fluturuar për rreth 12 minuta pranë kryeqytetit Talin, përpara se të kapeshin nga avionë F-35 italianë të NATO-s. Ky është inkursioni i tretë rus në kufirin lindor të aleancës gjatë këtij muaji.
MiG-31, të cilët kanë kapacitet për të mbajtur raketën hipersonike Kinzhal, u drejtuan drejt Talinit dhe manovruan në hapësirën ajrore estoneze përpara se të sprapseshin nga forcat aleate.
Reagimi i NATO-s dhe Estonisë
“NATO reagoi menjëherë dhe kapi avionët rusë. Ky është një tjetër shembull i sjelljes së pamatur të Rusisë dhe i aftësisë sonë për të përgjigjur”, deklaroi Allison Hart, zëdhënëse e NATO-s.
Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, e cilësoi shkeljen si “brutale dhe të paparë”. “Rusia ka shkelur hapësirën ajrore estoneze katër herë këtë vit, por hyrja e tre avionëve luftarakë njëherësh është e papranueshme. Agresionit duhet t’i përgjigjemi me rritje të shpejtë të presionit politik dhe ekonomik,” tha ai. Talini thirri menjëherë të ngarkuarin me punë të Rusisë për shpjegime.
Shkeljet në Poloni dhe Rumani
Incidenti në Estoni pason tensionet e ditëve të fundit në Poloni dhe Rumani. Varshava raportoi më herët këtë muaj se mbi një duzinë dronësh rusë shkelën kufirin e saj, ndërsa disa u drejtuan drejt qendrës strategjike të Rzeszów. Polonia aktivizoi Nenin 4 të NATO-s, duke e cilësuar provokim të qëllimshëm rus.
Edhe Rumania ka raportuar shkelje të përsëritura, përfshirë një dron që qëndroi për gati 50 minuta në hapësirën e saj ajrore. Fragmente nga sulmet ruse në Ukrainë kanë rënë disa herë në territorin rumun.
Reagimi i BE-së
Në këtë klimë tensioni, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shpalli një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë.
“Dronët rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të unionit tonë, si në Poloni ashtu edhe në Rumani. Presidenti Putin ka përshkallëzuar situatën dhe Evropa po rrit presionin e saj,” theksoi ajo.