Aeroportet kryesore evropiane po përballen me probleme serioze për shkak të një sulmi të mundshëm kibernetik, i cili dyshohet se ka prekur furnizuesin Collins Aerospace, i cili ofron sisteme për check-in dhe imbarkim për shumë kompani ajrore.
Një defekt teknik, që i atribuohet këtij sulmi informatik, ka ndërprerë ose ngadalësuar operacionet në disa aeroporte kyçe, përfshirë Brukselin, Berlin-Brandenburgun dhe Heathrow në Londër, duke shkaktuar vonesa dhe anulime fluturimesh.
Ndikimi në aeroportet evropiane
Sipas një njoftimi nga zyra e shtypit e aeroportit të Brukselit, sulmi i dyshuar bëri që sistemet automatike të check-in-it dhe imbarkimit të bëhen të papërdorshme, duke u detyruar punonjësit të përdorin procedurat manuale. “Kjo do të ketë një ndikim të konsiderueshëm në orarin e fluturimeve dhe për fat të keq do të shkaktojë vonesa dhe anulime,” thuhet në faqen zyrtare të aeroportit.
Aeroporti i Berlinit sqaroi se “vetë aeroporti nuk ka qenë objektivi i sulmit kibernetik, por është prekur indirekt”.
Reagimi i Heathrow
Në një deklaratë të shpërndarë nga Heathrow, theksohet se Collins Aerospace “ofron sisteme për check-in dhe imbarkim për shumë kompani ajrore në shumë aeroporte në mbarë botën”. “Ndërsa furnizuesi po punon për ta zgjidhur problemin sa më shpejt, këshillojmë pasagjerët që të kontrollojnë statusin e fluturimit me kompaninë e tyre ajrore përpara nisjes,” thuhet në komunikatën zyrtare.
Sulmi thekson rreziqet që lidhen me varen e sistemeve të infrastruktures kritike ajrore nga furnizuesit e tretë, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën për të parandaluar ndikime të mëtejshme në operacionet e fluturimeve.
Burimi: Corriere