Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Komandantin e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimit dhe Asistencë të Sigurisë të Ushtrisë së SHBA-ve (SATMO), Kolonel Thomas Melton.
Gjatë takimit, Gjeneral Jashari i uroi mirëseardhje Kolonelit Melton dhe e falënderoi për kontributin dhe angazhimin e ekipeve të SATMO-s në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së. Ai gjithashtu vlerësoi lart arritjet e deritanishme të forcës dhe performancën e dalluar të pjesëtarëve të saj gjatë aktiviteteve me ekipet amerikane.
Temë diskutimi ishin aktivitetet e zhvilluara deri më tani, duke përfshirë mbështetjen e SATMO-s në ngritjen e kapaciteteve trajnuese dhe procesin e validimit të njësive, si pjesë e planit të zhvillimit të Forcës. Po ashtu, u bisedua mbi planin trevjeçar të aktiviteteve të përbashkëta, ku roli i ekipeve të SATMO-s konsiderohet kyç për trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të reja të FSK-së.
Në përfundim të takimit, u theksua rëndësia e vazhdueshme e mbështetjes nga ekipet trajnuese të SATMO-s për avancimin e profesionalizmit të njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës.