Një 50-vjeçar shqiptar u arrestua në kufirin greko-shqiptar pasi u kap me 21.5 kilogramë heroinë, të ndara në 43 pako najloni.
Sipas mediave greke, policia e Xanthis kishte marrë informacione se shqiptari planifikonte të transportonte një sasi të madhe droge nga Shqipëria drejt Greqisë përmes një shtegu “sekret” në vargmalin e Follorinës.
Të enjten në mëngjes, autoritetet organizuan një operacion policor në Follorinë dhe i bënë pritë të dyshuarit. Ai u kap duke mbajtur një çantë shpine që përmbante heroinën dhe u arrestua menjëherë.
Vlera e heroinës së sekuestruar në treg llogaritet midis 15 dhe 30 euro për gram. Sipas autoriteteve, kjo është sasia më e madhe droge e sekuestruar ndonjëherë nga Zyra e Zbatimit të Ligjit për Drogën në Xanthi.