Trafiku ajror në Aeroportin e Kopenhagës u ndërpre të hënën në mbrëmje pas raportimeve për shikimin e disa dronëve në hapësirën ajrore, bëri të ditur platforma e monitorimit të fluturimeve FlightRadar24.
Sipas njoftimit, që nga ora 22:05 CET, 35 fluturime të destinuara për në kryeqytetin danez u devijuan në aeroporte të tjera. Shumica e tyre u ridrejtuan drejt Malmö-s, Billund-it, Aarhus-it dhe Göteborg-ut.
Një zëdhënës i policisë konfirmoi për agjencinë Reuters se në zonë u panë mes dy dhe katër dronë “të mëdhenj”, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e pasagjerëve dhe trafikut ajror.
Autoritetet daneze nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi origjinën e dronëve apo masat e mëtejshme që do të ndërmerren.