Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet sot për të diskutuar dhe propozuar shkarkimin e kryebashkiakut socialist Erion Veliaj, i cili prej 10 shkurtit ndodhet në paraburgim nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.
Vendimi për shkarkim u inkurajua nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste më 11 shtator, ku shpalli kandidaturën e Ogerta Manastirliut për kreun e Bashkisë Tiranë. Pas asamblesë, më 17 shtator, këshilltarët bashkiakë të PS-së u mblodhën në selinë e partisë për të diskutuar mbi urdhrin e kryeministrit dhe vendosën të paraqesin kërkesën për shkarkimin e Veliajt në mbledhjen e sotme.
Arsyeja e shkarkimit
Projekt-vendimi i këshilltarëve socialistë argumenton se mungesa e kryebashkiakut në detyrë për tre muaj e bën të nevojshme një udhëheqje aktive për kryeqytetin, veçanërisht në një periudhë zhvillimi ekonomik dhe social të shpejtë. Këshilltarët theksuan se iniciativa nuk përbën pranimin e akuzave ndaj Veliajt, por është një veprim ligjor dhe moral për të siguruar funksionimin normal të Bashkisë.
Ligji për Vetqeverisjen Vendore, Neni 62, përcakton se shkarkimi i kryetarit të bashkisë mund të propozohet nga Këshilli Bashkiak për mosparaqitje në detyrë për një periudhë tre-mujore të pandërprerë. Nëse miratohet, kërkesa do t’i dërgohet Këshillit të Ministrave për vendim final.
Kërkesa e Erion Veliajt për t’u pranishëm
Më 19 shtator, Veliaj kërkoi të jetë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke e konsideruar pjesëmarrjen e tij një të drejtë kushtetuese dhe një pjesë të procesit të rregullt ligjor. Ai argumenton se mungesa e tij nuk është vullnetare, por pasojë e një “masë sigurie disproporcionale” që ka paralizuar funksionimin e institucionit dhe ka lënë mbi 1 milion qytetarë pa drejtues të zgjedhur.
Veliaj shton se shkarkimi në këtë fazë do të përbënte një shkelje të Kushtetutës dhe se ai nuk ka pasur mundësi të informohet zyrtarisht për materialet mbi të cilat bazohet procedura, duke e vënë në vështirësi ushtrimin e së drejtës për t’u mbrojtur.
Përgjigja e Këshillit Bashkiak
Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka kthyer përgjigje Veliajt duke i bërë me dije se në rast pamundësie për të qenë fizikisht i pranishëm, ai mund të përcjellë vërejtjet e tij me shkrim. Sekretari i Këshillit theksoi se nuk ka tagër ligjor për të interpretuar ose kufizuar të drejtat kushtetuese të kryetarit, roli i tij kufizohet vetëm në aspektet tekniko-administrative të mbledhjes.
Veliaj ka deklaruar se mbetet në pritje të vendimmarrjes me votim nga Këshilli Bashkiak dhe thekson se garantimi i të drejtave kushtetuese është thelbësor në çdo procedurë të iniciuar për shkarkimin e tij.