Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, me inicialet S.S., I.V., M.V., M.R., N.M. dhe A.L., për veprat penale “Huliganizëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Sipas aktakuzës, më 13 tetor 2021, të pandehurit kanë marrë pjesë me dashje në turma të dhunshme në Mitrovicën e Veriut, ku dhjetëra persona kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Doganës me gurë, shufra druri e metali, si dhe me granata dore, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm.
Në vendin e ngjarjes, të akuzuarit kishin ngritur barrikada dhe kishin zënë pritë policisë, ndërsa mjetet e blinduara policore janë goditur me plumba dhe granata dore. Si pasojë, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, me inicialet B.A., E.V. dhe S.A., kanë pësuar lëndime trupore.
Po atë ditë, sipas aktakuzës, të pandehurit I.V., M.V. dhe M.R. kanë sulmuar zyrtarë policorë e doganorë në lagjen “Berxhane”, duke përdorur bombola gazi dhe armë zjarri në drejtim të tyre dhe të automjeteve zyrtare.
Turma e dhunshme është drejtuar më pas drejt një barnatoreje, ku janë lënduar pesë policë të tjerë (M.M., Xh.M., A.R., B.Sh. dhe A.M.), ndërsa dëmet materiale të shkaktuara vlerësohen mbi 20,000 euro.