Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, inauguruan sot shërbimet e reja në Poliklinikën Specialistike në Podujevë.
Me këtë rast, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e këtij investimi për qytetarët e Llapit, duke e cilësuar si një hap të madh drejt ofrimit të shërbimeve të specializuara më afër qytetarëve.
“Ky institucion shëndetësor tashmë është i gatshëm të ofrojë shërbime të specializuara për qytetarët, duke shmangur nevojën për udhëtime në Prishtinë për çdo vizitë specialistike”, tha Kurti, duke uruar shëndet e suksese për mjekët dhe pacientët.
Në Poliklinikë do të ofrohen 15 shërbime të reja, përfshirë:
-
Internistike: Kardiologji, Reumatologji, Endokrinologji, Hematologji, Gastroenterologji dhe Nefrologji;
-
Kirurgjike: Kirurgji Abdominale, Torakale, Urologji, Vaskulare dhe Ortopedi;
-
Gjinekologji, Pediatri, Pulmologji, Neurologji, si dhe shërbime të analizave laboratorike dhe radiologjisë.
Investimi kap vlerën prej 2.43 milionë eurosh, duke e bërë këtë poliklinikë një nga qendrat shëndetësore më moderne në rajon.
Kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi, u shpreh se ky është një moment i rëndësishëm për qytetarët e Podujevës:
“Jam i lumtur që bashkëqytetarët tanë nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë për në Prishtinë për shërbimet specialistike. Falënderoj kryeministrin, ministrin dhe SHSKUK-un për mbështetjen.”
Muajin e kaluar, në të njëjtën poliklinikë u përurua edhe Reparti i Hemodializës, që për herë të parë ofron këtë shërbim në komunën e Podujevës.