Gjigandi amerikan i teknologjisë, Apple, ka akuzuar Bashkimin Evropian se po e shënjestron në mënyrë të padrejtë përmes Aktit të Tregjeve Dixhitale (DMA). Kompania u gjobit në prill nga Komisioni Evropian me 500 milionë euro për shkelje të rregullave të konkurrencës.
Në një parashtrim zyrtar në pyetësorin e Komisionit Evropian mbi rishikimin e parë të DMA-së, Apple tha se rregullat janë zbatuar “nën ndikimin e axhendave politike dhe presioneve të jashtme”, duke rezultuar në një fokus disproporcional ndaj saj. “Komisioni e ka trajtuar DMA-në si një armë, duke miratuar një qëndrim kundërshtar vetëm ndaj Apple, gjë që është tërësisht e papërshtatshme për këtë kuadër rregullator”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Sipas Komisionit Evropian, Apple ka kufizuar zhvilluesit që shpërndajnë aplikacionet përmes App Store duke mos i lejuar ata të informonin klientët për oferta alternative jashtë platformës së saj. Për këtë arsye, Apple dhe Meta u gjobitën në prill, ndërsa në total shtatë kompani janë identifikuar si “rojtarë” të mëdhenj nën kuadrin e DMA-së, përfshirë Alphabet, Amazon, Apple, Meta, Microsoft, ByteDance dhe Booking.com.
Kritikat ndaj BE-së janë përforcuar edhe nga SHBA. Ish-presidenti Donald Trump paralajmëroi muajin e kaluar vendosjen e “tarifave të konsiderueshme shtesë” kundër vendeve që, sipas tij, zbatojnë legjislacione diskriminuese ndaj kompanive amerikane të teknologjisë.
Megjithatë, Komisioni Evropian mohon akuzat. Zëdhënësit e tij kanë theksuar se “pajtueshmëria me DMA nuk është opsionale, por detyrim”, duke shtuar se rregullat nuk synojnë kompanitë amerikane, por zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha platformat e përcaktuara si “kujdestarë”.
Rishikimi i ardhshëm i DMA-së pritet të zhvillohet deri në maj 2026 dhe më pas çdo tre vjet.