Robotët humanoidë të nivelit industrial pritet të hyjnë së shpejti në kantierët detarë për të kryer detyra të ndryshme, pas një marrëveshjeje të re mes Byrosë Amerikane të Transportit Detar (ABS) dhe kompanisë së inxhinierisë robotike Persona AI, me seli në Hjuston.
Ky bashkëpunim synon përshtatjen e robotëve humanoidë për punë në kantierë detarë, duke mbështetur njëkohësisht zhvillimin e standardeve të reja të ABS për mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave dixhitale dhe anketimit në distancë.
Ndryshe nga robotët tradicionalë industrialë, robotët humanoidë kanë aftësi për të operuar në hapësira të ngushta dhe komplekse të dizajnuara për punëtorë njerëzorë, duke ofruar fleksibilitet dhe lëvizshmëri në kushte sfiduese.
“ABS është krenare që udhëheq rrugën në integrimin e sigurt të teknologjive të reja në industrinë detare. Ky bashkëpunim me Persona AI pasqyron angazhimin tonë për inovacion dhe siguri, duke vendosur standarde për përdorimin e robotëve humanoidë në mjedise të ndërtimit të anijeve”, tha John McDonald, president dhe drejtor operativ i ABS.
Nga ana tjetër, Nic Radford, CEO i Persona AI, theksoi se ky është një “moment përcaktues për industrinë e ndërtimit të anijeve”, duke nënvizuar se robotët humanoidë nuk janë më koncept i largët, por realitet që po çertifikohet dhe komercializohet.
Sipas kompanisë Persona AI, që po përdor teknologjinë robotike të dorës së NASA-s, humanoidët e saj do të funksionojnë si “makina që performojnë si shokë skuadre”. Ata janë projektuar për të mbrojtur dhe ndihmuar punëtorët njerëzorë në vendet e punës më sfiduese, jo për t’i zëvendësuar.
Kompania thekson se sfidat e fuqisë punëtore në kantierët detarë – me norma largimi të punëtorëve që arrijnë deri në 30% dhe vështirësi në mbajtjen e punonjësve të rinj – e bëjnë integrimin e robotëve humanoidë një hap të domosdoshëm për të siguruar qëndrueshmëri dhe vazhdimësi në industrinë e ndërtimit të anijeve.