Adriatik Kelmendi, autor dhe moderator i emisionit Rubikon, ka konfirmuar se të gjithë kandidatët për kryetar të Prishtinës do të përballen në një debat të madh më 6 tetor.
Sipas Kelmendit, pjesëmarrjen e kanë pranuar: kryetari aktual Përparim Rama (LDK), Uran Ismaili (PDK), Hajrulla Çeku (LVV), Bekë Berisha (AAK) dhe Besa Shahini (PSD).
“Ballafaqimi i parë i madh për Prishtinën: më 6 tetor, në Rubikon. Kryetari aktual, Përparim Rama, sonte live e dha premtimin se pranon të vijë në debat me të gjithë kundërkandidatët në Rubikon. Po ashtu, Uran Ismaili e ka konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa Hajrulla Çeku publikisht është zotuar se merr pjesë ‘në cilëndo ditë, në cilëndo studio’. Edhe Bekë Berisha dhe Besa Shahini kanë konfirmuar tashmë”, ka shkruar Kelmendi në një postim.
Ky do të jetë ballafaqimi i parë i madh mes kandidatëve për kryeqytetin, vetëm pak javë para zgjedhjeve lokale.