Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka zbuluar se dy emrat e parë të propozuar nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, për kandidaturën e Tiranës ishin Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku. Por të dy kanë refuzuar ofertën për të hyrë në garë për postin e kryebashkiakut të kryeqytetit.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, Këlliçi tha se Tabaku dhe Alimehmeti kanë zgjedhur të mos përfshihen në këtë proces, duke qenë të angazhuar me projekte të tjera politike.
“Zoti Alimehmeti dhe zonja Tabaku e kanë bërë të qartë se nuk do të kandidojnë. Janë të fokusuar në angazhimet e tyre përkatëse dhe e kanë përjashtuar këtë mundësi,” u shpreh Këlliçi.
Deputeti shtoi se Partia Demokratike është ende në kërkim të një kandidati me profil publik të fortë, pa përjashtuar mundësinë që emri të vijë edhe nga jashtë strukturave të PD-së.
“Në gjykimin tim, kandidatura e parë duhej të ishte zonja Tabaku, duke qenë se ishte më e votuara. Nëse do të garonte me Manastirliun, jam i bindur se do të kishim një surprizë në Tiranë. Po ashtu edhe zoti Alimehmeti ka një profil shumë të mirë, por është i angazhuar me projektin e tij katërvjeçar politik,” deklaroi Këlliçi.
Për momentin, PD mbetet pa një kandidat të konfirmuar për Tiranën, ndërsa emri final pritet të dalë nga një proces konsultimi më i gjerë brenda dhe jashtë partisë.