Presidenti amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance kanë shprehur optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje historike paqeje në Lindjen e Mesme, përmes një plani 21-pikësh që synon t’i japë fund luftës në Gaza dhe të hapë rrugën drejt një shteti palestinez.
Trump deklaroi mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale se ekziston “një mundësi reale për madhështi në Lindjen e Mesme”. Ai shtoi se përpjekjet e administratës së tij për paqen janë në fazën përfundimtare, vetëm një ditë para vizitës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.
“Të gjithë janë në një linjë për diçka të veçantë, për herë të parë në histori. Do ta arrijmë”, shkroi Trump.
Edhe zëvendëspresidenti Vance, në një intervistë për Fox News Sunday, u shpreh i bindur se procesi është afër përfundimit:
“Presidenti na ka sjellë në një pikë ku jemi thuajse në vijën e fundit, dhe të gjithë shpresojmë që ta çojmë deri në fund e të arrijmë diçka madhore për paqen në rajon.”
Megjithatë, Vance paralajmëroi se negociatat mund të dështojnë në minutën e fundit për shkak të mospajtimeve me Hamasin, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.
Plani amerikan për Gazën
Plani 21-pikësh i propozuar nga SHBA, i ndarë tashmë me disa vende arabe gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përfshin:
-
Lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi, të gjallë dhe të vdekur, brenda 48 orëve nga miratimi i marrëveshjes.
-
Armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqje graduale të forcave izraelite nga Gaza.
-
Lirimin nga Izraeli të qindra palestinezëve me dënim të përjetshëm dhe mbi 1,000 të burgosur të arrestuar që nga nisja e luftës.
-
Amnisti për anëtarët e Hamasit që angazhohen për paqe, ndërsa të tjerët mund të largohen drejt vendeve pritëse.
-
Krijimin e një qeverie të përkohshme teknokratësh palestinezë, pa përfshirjen e Hamasit, nën mbikëqyrjen e një organi të ri ndërkombëtar të krijuar nga SHBA me partnerë arabë dhe evropianë.
-
Deradikalizimin e Gazës, me synim që territori të shndërrohet në një zonë pa terrorizëm.
-
Garanci për banorët që nuk do të detyrohen të largohen; atyre që vendosin të dalin jashtë do t’u garantohet kthimi.
Administrata amerikane e ka cilësuar këtë plan si shansin më serioz deri më tani për paqe në Lindjen e Mesme, ndërkohë që mbetet të shihet reagimi i Izraelit, Hamasit dhe vendeve arabe në ditët në vijim.