Policia e Kosovës ka ndaluar një 25-vjeçar të dyshuar për disa raste të vjedhjeve, i cili tentoi të largohej nga vendi përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Sipas njoftimit zyrtar, më 26 shtator 2025, personi i identifikuar me inicialet Sh. F., që ishte në kërkim policor, u kap nga zyrtarët policorë në aeroport. Pas ndalimit, ai u shoqërua nga ekipi i hetimeve të Stacionit Policor të Prizrenit për intervistim.
Gjatë procedurës, pas prezantimit të dëshmive, i dyshuari pranoi se kishte kryer të paktën gjashtë raste vjedhjesh në markete të ndryshme në qytetin e Prizrenit gjatë vitit 2025.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Përgjithshme, i cili ka rekomanduar që pas intervistimit, i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt. Për të gjitha rastet e dyshuara, do të ngrihet kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të parandaluar dhe zbardhur veprat penale, duke vepruar me profesionalizëm dhe transparencë në shërbim të qytetarëve.