Sot skadon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila që prej 5 shtatorit kishte pezulluar të gjitha veprimet dhe vendimet e deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe procedurat për formimin e Qeverisë.
Kushtetuesja kishte vlerësuar se ky pezullim ishte i nevojshëm për të evituar rreziqe apo dëme të pariparueshme që mund të lidhen me themelimin e institucioneve shtetërore në kundërshtim me Kushtetutën.
Në arsyetim, gjykata theksonte se ndalesa kishte për qëllim mbrojtjen e “interesit publik”, përfshirë ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Masa u mor pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe, e cila kontestoi mënyrën e zhvillimit të seancës konstituive të Kuvendit, veçanërisht votimin për nënkryetarin që i takon komunitetit serb.
Me përfundimin e masës, pritet që Kuvendi i Kosovës të rifillojë funksionimin dhe procedurat institucionale, në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.