Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me profesionistë të diasporës shqiptare në SHBA, në një organizim të Ambasadës së Kosovës në Washington D.C. Në pritje ishte i pranishëm edhe ambasadori William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së dhe mik i hershëm i popullit të Kosovës, me të cilin Kurti zhvilloi një bashkëbisedim të përzemërt.
“Kosova është një shembull i jashtëzakonshëm i demokracisë në qendër të Evropës”, u shpreh Walker në fjalën e tij përshëndetëse.
Kryeministri Kurti, në fjalën e tij, informoi të pranishmit për agjendën e vizitës në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë takime me katër senatorë dhe gjashtë kongresistë amerikanë. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë Kosovë–SHBA në fushën e mbrojtjes, zhvillimit dhe sigurisë.
Kurti foli gjithashtu për zhvillimet në vend gjatë mandatit të tij qeveritar, duke veçuar rritjen ekonomike mesatare prej 6% në katër vitet e fundit, dyfishimin e eksporteve dhe të investimeve të huaja direkte, si dhe avancimin e sektorit të teknologjisë së informacionit që tashmë kontribuon me 6% në bruto produktin vendor. Ai përmendi edhe rritjen me 50% të tokës së punuar bujqësore dhe investimet në mbrojtje e siguri.
“Kosova është një rrëfim i dyfishtë suksesi: së pari, i suksesit të NATO-s, me udhëheqjen e SHBA-së, që ndaloi gjenocidin serb, dhe së dyti, i zhvillimit dhe demokracisë që ecin bashkë”, tha Kurti.
Në përfundim, kryeministri falënderoi ambasadorin Lirim Dugolli dhe stafin e ambasadës për mikpritjen dhe angazhimin e përditshëm, si dhe bashkatdhetarët për kontributin dhe përfaqësimin e tyre dinjitoz në fusha të ndryshme profesionale e akademike.