Gjatë natës së sotme dhe mëngjesit të hershëm të së premtes pritet intensifikim i reshjeve të borës, kryesisht në zonat veriore dhe lindore të Kosovës. Në zonat e ulëta të Dukagjinit, reshjet parashikohen kryesisht në formë shiu.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik, nesër në Kosovë moti do të jetë plotësisht i vranët, me reshje bore dhe shiu. Në mesditë, në disa zona të ulëta, reshjet e borës mund të përzihen me shi. Temperaturat do të luhaten nga 0°C minimalja deri në 6°C maksimalja, me vlerat më të larta të pritura në Dukagjin.
Edhe në rajon parashikohet mot i vranët dhe i ftohtë. Në Shqipëri reshjet do të jenë të pakta, ndërsa në Maqedoninë e Veriut parashikohet që reshjet të pushojnë gjatë ditës. Në Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, reshjet do të jenë më të shprehura, me intervale shiu dhe bore.

