Ramiz Lladrovci ka reaguar përmes një postimi në Facebook, pas njoftimit se Prokuroria po shqyrton materialin e audio-incizimeve që ai kishte denoncuar më parë.
Lladrovci ka mirëpritur këtë veprim, duke theksuar se ka kërkuar prej kohësh hetim për audio-incizimet e marra nga një burim në Drenas. Ai shton se Policia e Kosovës ka mbajtur shënim zyrtar për këtë çështje pas denoncimit të tij.
Sipas Lladrovcit, audio-incizimi i publikuar më parë është i prerë dhe i ripunuar, duke e regjistruar më 29 maj 2023, pas orës 17:00, në Hotel “Emerald”, në restorantin e katit të pestë. Ai ka bërë të ditur se në atë vend dhe kohë kanë qenë të pranishëm disa persona, përfshirë Bekim Lestrani, Hamit Kastrati, Labinot Halilaj, bashkëshortin e Malësore Cakiqi dhe autorin e incizimit, Arigon Sinani.
Lladrovci vlerëson se publikimi i audio-incizimeve të gjymtuara ka për qëllim shantazhin, dëmtimin e imazhit dhe reputacionit të tij, si dhe devijimin e vullnetit qytetar në procesin zgjedhor. Ai ka njoftuar se është në proces të kallëzimit penal për shkaktarët e vonesave lidhur me rastin e uzurpimit dhe pret që organet e drejtësisë të vendosin për veprimet lidhur me audio-incizimet dhe shantazhet.
“Jam në proces të kallzimit penal edhe për shkaktarët e vonesave për rastin e uzurpimit, ndërsa lidhur me audio incizimet e gjymtuara dhe shantazhet, pres nga organet e drejtësisë ta thonë fjalën e tyre. Besoj në drejtësi!”, shkruan Lladrovci.

