Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot me ceremoni ushtarake Shefin e Mbrojtjes së Turqisë, Gjeneral Selçuk Bayraktaroğlu.
Në fillim të takimit, gjenerallejtënant Jashari e uroi gjeneralin Bayraktaroğlu për emërimin e tij në këtë pozitë dhe e falënderoi për vizitën në Kosovë. Palët diskutuan mbi bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Turqisë, si dhe mbi mundësitë e zgjerimit të tij në fusha të reja, përfshirë trajnimin, edukimin dhe mbështetjen në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së.
Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë FSK-së në zhvillimin e saj profesional.
Nga ana e tij, Shefi i Mbrojtjes së Turqisë rikonfirmoi përkushtimin e vendit të tij për të forcuar bashkëpunimin bilateral, duke vlerësuar lartë progresin dhe profesionalizmin e ushtrisë së Kosovës.
Në fund, të dy gjeneralët u pajtuan për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

