Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ushtruesin e detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, prefektin e Qarkut Kukës, Dritan Baji, kryetarin e Bashkisë Has, Miftar Dauti, si dhe deputetë nga të dyja kuvendet, kanë përuruar sot rrugën ndërkufitare Gorozhup (Has i Prizrenit) – Pogaj, projekt i realizuar në kuadër të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Në ceremoninë e përurimit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e kësaj rruge për banorët lokalë dhe zhvillimin e turizmit malor e kulturor mes dy vendeve. Ai e cilësoi këtë investim si “një pjesë të vogël të borxhit të madh ndaj këtij komuniteti që ka kontribuar shumë për zhvillimin ekonomik dhe historinë kombëtare”.
“Pas përfundimit të rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapot me vlerë 2.6 milionë euro, sot inauguronim rrugën Gorozhup-Pogaj, me gjatësi 3.7 kilometra dhe investim afër 1 milion euro. Kjo është një arterie vendimtare për qarkullimin e lirë dhe shkëmbimet mes dy republikave tona”, tha Kurti.
Rruga lidh fshatrat Gorozhup dhe Pogaj, që historikisht kanë qenë një, të bashkuar nga familjet, tradita dhe jeta e përditshme. Kurti shtoi se lidhja e Kosovës me Shqipërinë, përveçse shpirtërore dhe historike, duhet të jetë edhe fizike, duke u konkretizuar me projekte të tilla.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së ministrit, Hysen Durmishi, kujtoi se marrëveshja e nënshkruar dy vite më parë përfshinte tri rrugë: Kërstec-Pakishtë-Zapot, Gorozhup-Pogaj dhe Dobrunë-Blinishtë. Ai tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin me Shqipërinë për projekte të tjera, duke përmendur si prioritet vazhdimin e rrugës nga Pogaj në Kishaj, më tej në Cahan dhe Krumë.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, e cilësoi këtë investim si një “kapitull të ri në dobi të kombit”, duke e quajtur rrugën “jo thjesht asfalt, por një urë që lidh dy treva dhe dy anë të një kombi, testament i lidhjes historike e shpirtërore që ka mbijetuar në shekuj”.
Ndërsa kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, falënderoi kryeministrin Kurti dhe qeverinë për realizimin e këtij projekti, duke thënë se sot është përmbushur një ëndërr shumëvjeçare për banorët hasjanë. Ai shtoi se çdo arterie që lidh Hasin me Hasin dhe Kosovën me Shqipërinë është një hap drejt heqjes së barrierave të së kaluarës.