Një seri dokumentesh të siguruara nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara (RUSI) zbulojnë se Rusia ka pranuar të furnizojë Kinën me pajisje ushtarake dhe teknologji që do të mundësojnë një pushtim të mundshëm të Tajvanit.
Sipas RUSI-t, Moska më 2023 ishte pajtuar t’i shesë Ushtrisë Popullore Çlirimtare të Kinës (PLA) një sërë pajisjesh, përfshirë makina sulmuese, armë kundërtanke dhe transportues të blinduar ajrorë. Dokumentet, një dosje prej rreth 800 faqesh me kontrata dhe korrespondencë, tregojnë se Rusia gjithashtu është angazhuar të trajnojë një batalion elitar parashutistësh kinezë dhe t’i përshtasë autoblindat sipas specifikave kineze.
Në kontratë përfshihej edhe transferimi i teknologjisë, duke i lejuar Kinës të prodhonte armë të ngjashme. Ky zhvillim do të forconte aftësitë manovruese ajrore të Pekinit – një fushë ku Moska ka epërsi ndaj PLA-së – dhe do të rriste kapacitetet e Kinës për të ndërmarrë sulme në porte dhe bregdet si pjesë e një pushtimi të mundshëm.
Oleksandr V. Danylyuk, hulumtues i lartë në RUSI, tha për Radion Evropa e Lirë se këto marrëveshje janë tregues i një koordinimi të thelluar ushtarak Kinë-Rusi. “Rusia duket e gatshme ta shtyjë Kinën drejt pushtimit të Tajvanit, veçanërisht nëse kjo do të përfshinte SHBA-në dhe Japoninë në një konflikt më të gjerë,” u shpreh ai.
Sipas tij, dokumentet tregojnë se rusët nuk synojnë një pushtim të shpejtë, por një konflikt të zgjatur, i cili do të krijonte mundësi për përshkallëzim global. Ai paralajmëroi gjithashtu se Rusia ka përvojë në përdorimin e raketave dhe dronëve për të shtypur mbrojtjen ajrore, njohuri që mund të transferohen në rast të një skenari tajvanez.
Ndërkohë, RUSI thekson se edhe pse dokumentet “duken autentike” dhe janë verifikuar në mënyrë të pavarur, ekziston mundësia që disa pjesë të tyre të jenë ndryshuar apo hequr. Moska deri më tani nuk ka komentuar për këtë çështje.
Ekspertët paralajmërojnë se përveç mbështetjes teknike dhe ushtarake, Rusia mund të synojë të ndikojë edhe në destabilizimin politik të Tajvanit si një parakusht për pushtim.
Burimi: Radio Evropa e Lirë (REL)